LAMENTIN TIM DËGJO NËNË

>> Thursday, April 17, 2008


Fahredin SHEHU

Ku ke gabuar e di se e ke pyetur vetën
Dhe Zotin disa herë
Tash këtë po e bëj edhe unë
Që të ndëshkohesh kështu e dashur
çfarë ke bërë në rini
Të përfundosh me lindje
Të sjellësh në tokë
Një të ligë veç për vete
Se ky i gjorë nuk i bën
Askujt dëm pos vetës
Të ec kështu ta shohin të gjithë
Të ligën e mishëruar dhe
Të prekshme
Të marrin mësim të gjithë
Por më e keqja është se këtë
Nuk e bëjnë
Hidhësinë e farës sime dot s’e provuan
Sepse ushqehen me mishin e ëmbël
Të hurmës sime

Ti tani nuk di nënë
A ta vajtosh vetën apo mua dhe unë e di sa vështirë e ke
Vonë kuptove se krejt magjia ime
Është e koncentruar në shkopin magjik
Të cilit njerëzit i thonë laps
I cili lëviz me fjalën magjike
Me gjashtë germa e ajo është


POEZIA

Nëse të pyesin çka është poezia?
Pashë mua që i thua se është
Shkrirja e shpirtit në fjalë
Surfuzioni i fjalës në ngjyrë
Kristalizimi i ngjyrës në letër
Grumbullimi i letrës në libër
Që ta mbajnë krijesat e quajtura njeri
Në nënsqetulla të padepiluara dhe plot
Kundërmim bakteresh erogjene
Për ta profanizuar
Sakralitetin e arketipit tokësor
Të LEHVI MAHFUDH
[1]
Ashtu si e zhveshën fenë
Dhe e bën psikologji
Ashtu si e zhveshën magjinë dhe e bën parapsikologji
Ashtu si e gjymtuan artin dhe e bën estetikë
Kurse NE menduam se Njeriu duhet të bëj


ART FE DASHURI


E jo ta flas atë

Nënë pashë mua që i thua
Derisa drangoi yt do ta shpëtoj
Këtë botë të vogël
Para se të këndoj knusi i Shkodrës
Derisa drangoi yt ta
Rrëzoj murrin prej inercioni
Që e krijuan pleqtë impotent
Të esoterisë letrare
Të cilën e bën parti politike
Të realistëve të fundit të Marksit në planet

Se farën e ithët të hurmës sime
E hodhën pas shpine
Dhe kush do ta shijoj mishin e ëmbël
Më ka të paprekur

Thuaji hani para se
Ta sjellin pentaklin
Forcat e errëta e deri tek shpëtimtari
Deri te ardhja e tij
Duhet të kaloj edhe një kohë
Të cilën ata do ta harxhojnë
Si ajrin me ozon
Pas një të rreshure
Që ta shpërlaj tërë qenien

Sot vajtoj nënë
Për të gjithë
Për njerëzit për NJERËZIT
Deri në eonin e ri
I cili do të palohet prapë
Në stratosferë të lë gjurmë
Fosilesh të vetave martire

Oh Zot jepi forcë nënës sime
E di se me mua e sprovon
Edhe ajo e di se Ti e do
Prandaj e sprovon si Ibrahimin
Ajo më solli këtu
Ta vuaj këtë jetë
E të më frikohen pëllumbat e bardhë dhe
Gjethet e hardhisë të tremben
Vetëm se kam formë njeriu

Unë qaj dhe kështu deri ne eonin e ri

[1] Pllaka e ruajtur mirë, sipas eskatologjisë islame, çdo gjë është e shkruar aty dhe Kur’ani buron nga ajo

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP