Pres në rrugë

>> Saturday, June 13, 2009


09.03.08


Saimir LLESHI


Shpirti më fle rrugëve në humbëtira mërgimtare
Pasione të fishkura blerojnë në zbrazëti të kohës
Universe mendimesh, mbyten në dete të lënguara
Në copëza qelqesh pasqyrohen me simpati drithërima
Ëndrra të zhveshura nga myshqet e së shkuarës
të mbuluara me ajrin e rëndë të frymëmarrjes së pikëlluar
Trëndafila të kristaltë hidhen mes zjarrit të kujtimit
Kuvendojnë me prushin e së tashmes, të shkuarës së trishtueshme
të nesërmes së panjohur
Atje flenë zogj të frikësuar nga tundimi i erës së natës
Shpirti im fle rrugëve, cepave të avllive, dritareve të diejve,
korridoreve të errësirës
Mes tingëllimave të heshtjes e butonave të kalimeve
Atje është njeriu
Në fluturimin e kohës e në robërimin e historisë
Në pasionin e përjetshëm e jetën e vdekshme
Në udhëkryqin e madh të besimit e të mos besimit
Ishte arratisje për pafajësi, e përpjekje për qëndrim
Fluturak në buzëqeshje, e ndalesë në vetmi
Sa pak qëndroja në kohë, e humbisja në një tjetër mendim
Atje gjeja prapë njeriun, zhurmën, simfoninë e heshtjes
Shihja pengesat që më ndalonin, ritmet që më dyzonin
Ëndrrat e përgjumura që më mbanin me krenari
E dija se po jetoja, ndaj e ndjeja kaq rëndë këtë marsh të ikjes
Këtë rrjedhje njerëzish, këtë kapitullim kohësh
Zgjodha rrugën për të vështruar këndin tjetër
Nuk fjeta për një kohë të gjatë, mërdhija deri në palcë
E ndjeva erën e rëndë të jetës që më jepte të kollitur të thellë
Nuk desha ta pija sepse malli ishte helm
Jam në rrugë duke pritur të nesërmen
Me dëshirën për të qenë zgjuar, kur sytë ishin të përpëlitur
E dija se qëndroja për të zhbërë pulset, minutat e ndryshkur
Erdha për të marrë hidhërimin e shpirtit tim
Mysafir për aq kohë, sa gurët e tespiheve t’i numëroja
Kjo ishte jeta, jam duke e jetuar në rrugë

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP