Ahireti

>> Thursday, January 14, 2010

Amir IDRIZI

Ahireti vllezër të dashur është jeta në amshim,
Ku secili prej nesh do ta përjetojë këtë ndodhi.

Ahireti është jeta pas vdekjes ku njeriu jetën në amshim e përjeton,
Cdo të mira në atë botë e ka .

Në ahiret cdo njeri do ta kalojë Siratin ,aty do të jenë të gjithë njerëzit ,
Duke pritur dhe disa me fytyra te zbardhura dhe të nxira se cfarë fati e ka.

Do të kalojë mbi këtë urë ,vallë ku njeriu në cilën anën do të jetë,
Nga cila anë do të jetë nuk dihet.
Nga ana e djathtë janë njerëzit faqe bardhë ku secili do ta takojë
Ibrahimin a.s.

Nga ana e majtë janë njerëz me halle ku secili prej neshë ka mu taku me Muhamedin a.s

Nga secila anë përplotë njerëz duke pritur për fatin tëndë .

Ahireti eshte jeta në amshim ,ku secili prej nesh do të takojë të afërmit e tij.


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Poemë e tiranisë njerëzore


Roald HYSA

Nën gërmadha shkrumbi vendi im psherëtin,

Me injorancë Zotit llogari i kërkon,

Dhe harron se vetes fajin ia përtërin:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




Ndër zhgrapje pallatesh që ngrihen gjer te retë,

Pa ditur se çfarë, gjërat i lakmon!

Këndon refrenin q’e ka gatitur vetë:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




Pa del robina dhe lind zonjën e vetë,

Në pelena dhimbjesh fëmijën e shtron;

Dhe kujton e shkreta se ka veç kët’ jetë:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




Dhe n’çorbën që e ka gatuar vetë,

Të gjithë njerëzinë ai e fton.

Kujton i ziu se bën diçka të shenjtë:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




Kur nga hiçi, del ndonjëri porsi profet;

Duke marrë poza si buf edhe harron,

Se i pazoti është për ato që flet:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




I vetëm, i truar ndihet nga kjo botë,

Një mori telashesh vetes po ia shton!

Për atë që s’duhet nga sytë nxjerr lotë:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




E kur ta shihni se është shkatërruar krejt...

Ah, sa keq, si u kujtuam shumë vonë?!...

Sikur ta kishim ditur paksa më shpejt:

Ne nuk jemi engjëj, por as demonë!




E kështu kjo gjë deri në pafundësi,

Pa pra’ ecën, në rrugën e saj vazhdon,

Dhe përsërisin ata me paturpësi:

Ne jemi engjëj, nuk jemi demonë!




Më falni, por ky refren përsëritet vetë!

Nga goja e njerëzve shpesh e dëgjon.

Jo unë, ata e thonë pa të drejtë:

Që janë engjëj dhe nuk janë demonë?


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Bie në natë

>> Wednesday, January 13, 2010

Saimir Lleshi

Sa herë bie në natë
Ti befas vjen e mi ndez lumenjtë e dashurisë
Qëndron e heshtur
Në monologun tënd historik
Unë të flas
E dehen kur të shoh sytë poetik
Kur lundron qetë
Në dallgët e trazuara të shpirtit tim
Koha vdes!
Ti mbetesh aty si orë pa numra
Mi rigjeneron kujtimet
Mi freskon ndjesitë
E atëherë ndjej sekretin tënd
që duket se jeton në amshim
Nuk e di a je drita që më përpëlit në atë errësirë?!
A je koha që më mbush zbrazëtinë në shpirt?
.................
Bie në natë!
Të pushtuar kam botën time të fantazisë
Dremit në atë liqen të pa shpresë
që mbushet nga lumenjtë e gjoksit tim
Ç’stacion të solli?
Apo unë mora trenin e marrëzisë?!
E nisëm atë udhëtim heronjsh
E ku bitisëm tashmë s’dua ta di!
Ti vjen aq lehtë
Siç rrezet hëna lëshon mbi çati
Me gaz më mbush me gaz në atë muzikë të amshuar
Nuk ndihem vetëm kur të mendoj ty
Je pulsi i damarëve
Je ajri i bekuar
Mbase e gjithë kjo është mirësi
që në skuta jete, Zoti na e pat rezervuar
Kur të të mendoj të mbushem me gëzim
E kur të më mungosh ta di se ç’është vuajtja
Vrapoj nëpër kohë gjithmonë me ty
Mbase në ato trotuare e vetme je duke shkuar
Ti s’mundesh ta thuash
Unë s’mundem ta them
Sa herë zgjohem e bie në natë je mendimi për mua


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Afër lumit Vardar (5)

>> Tuesday, January 12, 2010

Hamdi Nuhiju

Mendimi për ty
Rrjedh, vazhdon
Nën hijen e vargut tënd…

Bota e oreksit
Mbi gërmadhat e dashurisë
Fashitë kodeksin etik….

Histori dashurish
Nën nëndijen time
Mbi lumin Vardar…


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

NJË GOTË ME UJË TË BEKUR

Xheladin Hamza
Një gotë me ujë të bekuar
Ma jep or miku im
Dua ta shuaj etjen
E jetës në ikje
T’i lagi buzë të qara
E vdekjen ta arnoj me të...
Tek gabzherri ulur
Vdekja e bardhë
Durueshëm pret
Shpirtin të dal më lehtë...
Një gotë ujë të bekuar
Sall edhe një pikë ujë
Bënë rahmet
Se s’bënë mëkat
Or miku im!


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Asfalti

>> Monday, January 11, 2010

Hevzi Zeqiri

Mbi asfaltin e gjymtë
Të coptuar si mos më keq,
Të çarë e me gropa,
Këmbë e rrotë e shumëkujt ec.

Vijat e ftohta që shtrihen mbi të
Se ç’ kanë një modesti që kund se gjen,
Të plota a të ndara, ç’ rëndësi ka?
Kushdo që i shkelë nuk bën zë.

Ai dhe ata, rrinë kokë ulur,
Mbi shpindë mbajnë gjithë çka munden.
I pari a i dyti shkelës, rëndësi nuk ka.
Veçse rregulli ka për t’u kthyer,
E jo vetëm si rregull për t’u parë.

I shkreti asfalt,
I rrethuar me trotuar.
I zbukuruar me motrat e tij, vijëzat bujare.
I bërë nga njeriu,
Njeriut i jep ligjëratë.


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Po t’i kthej petalet

>> Sunday, January 10, 2010


Po t’i kthej petalet
Me të cilat, thura kurorën e secilës mbrëmje
Le të mbretërojë mbrëmja
Kurorëzuar me qiell të athët yjesh
Se nuk është e thënë
Që mbretëritë të jenë pranverore
Një vjeshtë i takon çdo dinastie

Po t’i kthej petalet
Me të cilat, çdo muzg e ngjyrova
Dhe gjakut tim i dhashë bojë
Që të shuajë etjen e secilit trëndafil
Etjen për bojë të kuqe gjak

Po t’i kthej petalet
Me të cilat, secilës erë i këndova këngën e saj
Që të mos ma dinë për nder
Se unë këtë munda t’u kthej
Frymëve të saj të shkathta

Po t’i kthej petalet
Sot gurët rëndojnë më lehtë
Se gjithnjë ujë shiu kam pirë
Kam njomur damarët me të
Ashtu, pa ngjyrë, pa aromë, pa fëshfërimë

Po t’i kthej petalet, trëndafil!

Vehap S. Kola


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Heshtje

>> Monday, January 04, 2010

Mbi dallgë mashtrimi
Valigje shkëmbi
Varre pa njeri
Flokë nuhatje
Fantazmë pa hijeshi
Dashuri pa ngjyrë
Pa meremetim fjalësh


Sejhane MEHMETI


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Mendo drejt

>> Sunday, January 03, 2010



Në rrugën që je nisur, po shpejton shumë shpejt
Ndaj pak kohë për vetën ulu dhe mendo drejt
Nga erdha, ku isha dhe për ku je drejtuar
Nuk është e kotë për të medituar.

Asgjë të duket vetja, vetëm kënaqësia të ekzistojë
Por, kjo ëndërr e trishtuar shpejt do të përfundojë.
Nefsin tënd në dorë të kujt e lëshove
Me hilet e shejtanit në rrugën e mëkatit përfundove.

Moderniteti, paraja thua jeta i ka këto bukuri
E nuk është e bukur nga ajo që ske dobi
Se të mashtrojnë e shpejt përfundojnë
Andaj nuk është lumturia lojë që ti mendon.

Mendo drejt dhe kërko arsyetim
Kjo jetë është e shkurtër e vdekja është vetëm fillim.
Do të jesh në varr
Ske dobi nga dituria për famë e pasuri
E kthim mbrapa nuk ka por vetëm llogari.

Po të ftoj në rrugën e pendimit
Që të kuptosh qëllimin e krjimit
Se bota përtej varrit është shpërblim ose dënim
E jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm mashtrim.


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Solum Victum

>> Saturday, January 02, 2010

Sado që hesht
Tash s’e dëgjoj aq qashtër
Gurgullimën tënde në damarët e mi
Horizonti është bulëzuar
Si një qelq i ngrohur janari
Dëborë s’ka
Por gjurmët janë të shqueshme lehtë
Si lumenj që rrjedhin para meje
Si zogj plot bojë perëndimi
Ku ngjyej penelin e autoportretit
Mbaj vesh uturimën e erës
Mbi drurët e ngrirë kallkan
Është kujë vetmie mbi idhnimin e pyjeve
Siç njerëzit qajnë të vdekurit e tyre
Dhe do të hesht
Se dashuria më është për çfarë jam
Jo për gjurmimin e lumenjve të huaj
Se s’ka diell të ndjekë udhët e tjetrit
Në të tyren janë diej të pamposhtur

Vehap S. Kola


Share/Save/Bookmark Lexoje te plote...

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP