KEMBESORI
>> Friday, September 28, 2012
Unë në këmbë shkruaj poezi
eci me një thes plot lodhje
në vend të flokëve në kokën time
katër pata dhe kurora tropikale
në qafë më varet gjerdani prej Njëbrirëshi
dhe varësja e Zeusit
në dorën e djathtë ora
akorduar sipas teletekstit
të një TV-je lokale nga Atlantida
nga këmisha e grisur
gjoksi emeton djallëzisht qime të holla
në kërthizë lotët e bishës në grahmën e vdekjes
megjithëse me këpucë alpine,
hapat e lehtë më janë si fluturimi i dallëndyshes
dhe nuk jam krenar për gjendjen time
por natyrisht as marre nuk më vjen
për fukarallëkun tim
gjithçka mund të jem,edhe frikacak
ndonjëherë flas si shumë,por i ligë nuk jam
Unë jam thjeshtë një Këmbësor
Kalimtar i dynjallëkut jorastësisht Verior
plote brekë fëmijësh dhe llomotitje femrash
tradicionale sikur çaji në Angli
pasdite në ora pesë
kam mundësinë të shikoj si çuditen me mua
ngacmoj shikimet si një vejushë gjysmë lakuriqe
në bregun këndej Lumi
i përjetshëm dhe i zgjuar
plotësoj fushat e zeza në fjalëkryq
në tetëkahore fus drejtimin e nëntë
sepse ai është i imi,unë në te kaloj
dhe në këmbë poezi shkruaj ...
Nijazi Jahja Mripa
@ njm Mitrovicë e Veriut,
2012-08-22
0 Komentet:
Post a Comment