SHTRIGA
>> Thursday, September 27, 2012
Urrejtja
zjarri lëpin gjethet dhe degët e tij
lisi shekullor gëlltitet në çast
Ai nuk reziston
nga turma vijnë të qeshura
dhe një lot i fshehur
Kaos i gjithësisë
qindra mijëra milingona marshojnë
që me dëshprimin e huaj të ngopen
më kot
Shtriga në te është më e fortë
nuk vajton as nuk mallkon
fluturimin nën yje imagjinon
dhe shumë net pagjumë
çarçafët e zhubrosur
djersa
dhe buzët
më të nxehta se zjarri
E lumtur
sepse Ajo e dinte
se Liria është e shtrenjtë
ndërsa në tym zhduket
dhe humbet
...
Piskamat e turmës së shfrenuar
shpërndahen porsi retë e këputura prej stuhisë
diku dikush larg fshinë lotin me këmishën e ndotur
nën shelgun e vjetër bari i shkelur
gjurmë kryençësie
prroni që gurgullon
toka qetë rënkon
le të flejë tashi
le të ëndërron
ajo endet me dy bigë
ajo Shtrigë e vogël e ligë
Nijazi Jahja Mripa
@ njm Mitrovicë e Veriut,
Vjeshtë 2003
0 Komentet:
Post a Comment