Frymëzim i Hënës së Re

>> Friday, January 05, 2007


Një frymëzim më pushtoi nga thellësia e shpirtit, më dha freski
Më përshkoi fuqishëm si një ndodhi shumë e rrallë
Brengat e jetës do të sosin dhe s’do të më trazojnë kurrë
Dhe Nur i Allahut do të kaplojë mbi çdo gjë të gjallë.

E pashë Hënën e Re më të ndritshme si asnjëherë më parë
Në shkretëtirën e Arabisë dritë e saj më fuqishëm u pa
Po ripërtrihen shpresat e jetës me shpejtësi të një rrufeje
Dy miq të një Zoti u bënë bashkë në Shpellën Hira.

Hazreti Xhibrili do të çojë në vend fjalën e Krijuesit
E shtrëngoi me forcën e melekut dhe i tha: “Lexo, Lexo…’
Jo veç në shpirtin e frikësuar të Muhammed Mustafasë
Margaritarë të bardhë të fjalës së Zotit do të bëjnë dritë kudo.

Ikën në pakthim netët e frikshme dhe u fundosën në Detin e Vdekur
Mbi to shkëlqeu një Natë e bekuar që s’ka në të më errësirë
Në zemrat e mushrikëve fytyrënxirë nisi sëmundja e pashëruar
Dhe janë veç fjalët e Zotit, që mbi ata po qëllonin pa mëshirë.

Një frikë e pllakosi qetësisht dhe pa lëndim shpirtin e Resulullahit
Në këtë Natë dhe mu në këtë muaj që mbi të tjerë vuri pushtet
Tash një mall edhe më i zjarrtë po e digjte hazreti Muhamedin
Kur do ta shohë edhe njëherë sa më parë atë Mikun e Vet.

Toka e Bedrit hapi damarët e saj për gjak shehidësh
Në të përjetësisht do të jenë zotërinjtë e shpatave që villnin zjarr
Në të do të zbresë një ushtri e meleqëve të Zotit
Dhe mbi mushrikët do të sulet si një mortajë e rrallë.

Idhujt në Meke po lëshonin zërin e një çmendurie të paparë
Në këtë Shtëpi do të madhërohet veç i Vetmi Allah
Jo jetës me dëfrime i thanë dhe zgjodhën vdekjen e pavdekshme
Kështu bënë veç shehidët dhe me kënaqësi thanë: ‘Bismil-lah’.

Me këto ndodhira famëmëdha nisi të shkruhet histori e re
Këtu islami nisi të lëshojë shtat mbi idhujtarinë
Shumë mallkime lëshonin shpirtrat e mashtruar nga idhujt
Tash e tutje do të luten veç për Zotin që sundon gjithësinë.
,

Është veç një mëshirë e Hënës së Re që mbuloi këtë gjithësi
Për të parën herë nisi jetën në Natën e Kadrit në Ramazan
Të poshtëruar do të jenë veç ata të pabindurit në këtë fe
Dhe të vërtetën në jetën e tyre edhe sot kurrë s’e panë.

Bënie jetën më të gëzuar, një zë shprese thirrë pa u ndalë
Është veç një Zot që para Tij do të dalim me përgjegjësi
Kurrëkush nuk do të kursehet nga ajo që i është shkruar në dynja
Dhe nuk do t’i bëhet asnjë e padrejtë kur të thirret për llogari.


Ali Vezaj

burimi:www.zeriislam.com

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP