Miqtë e Ibrahimit a.s. nuk digjen në zjarr

>> Friday, January 05, 2007


“O zjarr bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin”.
Kur’ani


Zullumqari Nemrud një ëndërr të keqe kish’ parë
se një dritë e fortë kish shuar diell dhe hënë
nga froni i tij që rrinte po rrëzohej me rrëmbim
ëndrra i dha frikë e tmerr dhe udhë duhet dhënë.

Vrik e vrik në pallatin e tij thirri shumë mendarë
se ç‘kader na ishte shkruar për sovranin zemërthatë
kur do të sosë sundimin tirani mendjemadh
dhe lirshëm të ecin lumenjtë Tigër dhe Eufrat.

Mendarët ëndrrës do t’i kenë rënë në udhë
Nemrudit zemërzi kështu do t’i kenë thënë
Një fe e re do të shkëlqejë në këtë tokë
dhe një njeri me nam do të rrëzojë fronin tënd.

Me një llahtari në fytyrë shpejt dha një ferman
të vriten të gjithë djemtë që lindin në këtë mot
të mos i tundej froni që e kish vënë nën këmbë
humbi veten dhe me një çmenduri tha: Edhe unë jam zot.

Dhe lindën shumë çuna po lindi edhe i miri Ibrahim
Perëndia me mëshirë të Vet do ta mbulojë këtë fëmijë
do të shpallë fenë e drejtë dhe besën në NJË ZOT
po do t’i dalë shumë punë madje edhe me babain e tij.

Në Kur’an Perëndia foli për këtë pejgamber
“Ne i dhamë herët Ibrahimit pjekurinë”
të besojë Zotin që është një pa të meta
të mos ndjekë fenë e të parëve – rrenën e tradhëtinë.

Dhe po rritej ky djalë me shpirt besimdrejti
dhe në errësirën e natës një yll e pa’
mos ky do të jetë zoti që unë i zë besë
Hazreti Ibrahimi me gojën plot tha.
Kështu bëri edhe kur e pau Hënën në natën me terr
po edhe Diellin që rrezet i lëshoi kudo
s’i dua ata që humbin gjatë natës dhe ditës
dhe bëri dua: o Zot mua drejt më udhëzo!

Dhe më në fund me shpirt të kënaqur me besim, tha
Zoti im është Allahu dhe s‘ka një të metë
Ai krijoi qiejt, tokën dhe çdo send të gjallë
dhe kurrë s’do t’i bëj shok Zotit të Vërtetë.

Këto fjalë ia tha edhe babait të vet idhujtar
O im at, me shejtanin ti këpute atë miqësi
se mua Allahu më ka dhënë një dije të paparë
që s’e kanë të tjerët, e s’të është dhënë as ty.

Azeri nuk tundej fare në besimin e të parëve
mbi djalin shpërtmirë me tërbim u përplas’
largohu prej meje dhe shko kah të sheh syri
thellë po të betohem me gurë do të të vras.

Idhujt që i bënte babai mendjekrisur
Hazreti Ibrahimin e kishin mërzitur shumë
do t’i copëtoj që të gjithë bëri një besë të fortë
s’ka të mira nga ata, e as s’ka zullum.

Me një satër të mrehtë i bëri copë-copë
dhe atij më të madhit satrën ia vuri në sup
u stepën idhujtarët kur e panë këtë vaki
e ka bërë Ibrahimi të gjithë thanë troç e trup.

Shumë u zemëruan të mjerët për zotrat e tyre
do ta ndëshkojmë keq i thanë Nemrudit zuzar
atë që këta idhuj i bëri në këtë hall
Këmbë e krye lidhur do ta hudhim në zjarr.

Dhe në atë zjarr hodhen një bjeshkë me drurë
Ibrahim Halilullahin e hodhën pa mëshirë
flakë e këtij zjarri po shkonte drejt qiellit
po kurrë s’do të digjet nuri i Profetit të mirë.

Meleqtë në qiell dhe në tokë po bënin dua
ta shpëtojë Allahu mikun e Vet më të mirë
po fjalët që po i thonte Ibrahimi janë të mëdha
HASBIJALL-LLAHU VE NI’MEL-VEKIL

Hiq s’po i trembej zjarrit Hazreti Ibrahimi
që moti veç me Një Zot pat’ lidhur miqësi
“O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin” tha Zoti
Zjarri nuk e dogji e kjo ishte mrekulli.

Dhe të gjithë zjarret kudo në këtë tokë
në atë ditë të tmerrit bënin veç të ftohtë
pat’ thënë kështu ‘alimi imam Bejdaviu
këto janë muxhize të të Vetmit Zot.

Pejgamberi Ibrahim idhujtarëve ju tha shkurt
ju e latë Allahun dhe u lidhët me këtë jetë
por do ta pësoni keq dhe jeni të mjerë
dhe do të digjeni gjithnjë në zjarr të vërtetë.

Po sprovohej Hazreti Ibrahimi me brengë e farmak
dhe shumë e kish’ rënduar mosha e pleqërisë
të përkundë një djep me një djalë të mirë
dhe kjo është myzhdeja veç e Perëndisë.

Haxheren me Ismailin në gji e çoi në Mekë
ua bëri një vend dhe ju tha: rrini nën këtë pemë
begati e Allahut përshkoi luginën e bekuar
dhe shpërtheu furishëm kroi Zem-zem.

O Zot! tha Hazreti Ibrahimi dhe la nënën me djalë
“Një pjesë të familjes sime e lashë në këtë luginë
të të bëjnë shyqyr veç Ty dhe të falin namaz
jepju rrizk të mirë, se këtu nuk ka bimë.

Në përkdheljen e nënës djali po rritej si pëllumbi
dhe një ëndërr Hazreti Ibrahimi e pa’
Ismailin që e kishte lule shpirti dhe dritë syri
Duhet bërë kurban veç për të Madhin Allah.

“O im bir, pashë në ëndërr sikur të thera ty”
po ti çfarë thua? si t’bëjmë për këtë punë,
baba! foli Ismaili bën siç je urdhëruar ti
dhashtë Zoti do t’jam i durueshëm edhe unë.

Dhe shejtani i nemur tash mori udhën e vet
djali yt oj Haxhere do të theret për kurban
babai po të shpie për të vënë thikën i tha Ismailit
ik o i mallkuar! babë, nënë e bir kështu i thanë.

Babë e bir morën udhë dhe po ecnin bashkë
kurban do ta bëjë djalin në vendin e shenjtë në Arefat
ca fjalë të Ismailit do ta lëndojnë shpirtin e plakut
kam disa porosi tha Ismaili, më dëgjo o im at.

M’i lidh duar e këmbë të mos përplasem keq
mblidh fundin e rrobës të mos e bëj me gjak
mprehje thikën mirë e të më godasësh shpejt
dhe dhimbjet e vdekjes të mos i ndjej aspak.

Hazreti Ibrahimin në shpirt e prekën këto fjalë
duke përjetuar dhimbje Allahut po i bënte dua
O Zot! më jep sabër dhe më mëshiro mua
se tani jam plakur, kështu miku i Zotit tha.

E shtriu djalin në tokë, urdhërin duhet çuar në vend
dhe vuri thikën e mprehtë mbi qafën e të birit Ismail
Allahu ekber! Allahu ekber! një zë me tekbir
nga xhenneti solli një dash meleku Xhibril.

Që të dy urdhërin e Zotit me përkushtime bënë
për këtë ndodhi foli Perëndia në Kur’an
“O Ibrahim! ti e zbatove ëndrrën që ke parë
dhe kjo me të vërtetë qe një sprovë e rëndë.

Pas ndodhisë së kurbanit babë e bir u kthyen në shtëpi
në përqafim të nënës Haxhere u hodh djali si kurrë me parë
fjalë lavdërimi për Allahun thonte Hazreti Ibrahimi
me selam i përshëndeti dhe iu kthye të mirës Sarë.

Vitet ecnin rrugës së vet po edhe sprovat për këtë profet
mësyu Mekën dhe shkoi ta shohë djalin që moti s’e kish parë
kam një urdhër nga Zoti im që të ndërtojmë një SHTËPI
dhe u kapën ngryk me përmallim babë e djalë.

Pejgamberi Ibrahim bashkë me Ismailin nisën punën
dhe po lartësonin themelet e shtëpisë duke bërë dua
Zoti ynë bëje kabul këtë prej nesh, Ti dëgjon e di
të dyve na bënë besimtarë dhe ço pejgamberë ndër ta.

Dhe punë e nisur veç për hir të Zotit mori të mbarën
muret e Qabesë së Shenjtë po ngriteshin në lartësi
në të ka shenja të dukshme, është Mekami Ibrahim
dhe ky është babai i profetëve që erdhën pas tij.

Shenjtëri e Qabesë nuk do të zbehet ndër mote
do të shkohet në Mekë në dimër dhe në verën e nxehtë
për këtë bëri emër Allahu kur krijkoi tokë e qiell
kështu tha Hazreti Muhamed Mustafaja me gojë të vet.


MIQTË E IBRAHIM HALILULLAHUT KURRË S’DO TË DIGJEN NË ZJARR
DHE ZJARRI NUK DJEG SHPIRTIN QË NË AREFAT BËN DUA
DO TË GJËMOJË AREFATI NGA ZËRAT E HAXHINJVE
LEBBEJKE ALL-LLAHUMME LEBBEJKE – VETËM FALJE KA PËR TA.

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP