Rrëzohemi

>> Monday, August 04, 2008



Vehap KOLA



Rrëzohemi
Ditën na bien si luspat
Si flokë të shkulura
I varrosim
Rrëzohemi
Dhe diellin
Më shpesh e gëlltisim
Me më shumë uri
Hënën e kafshojmë
Si bukën e pakët
Rrëzohemi
Me një gurë në trajsë
Përditë më të rëndë
Përnatë, krahët
Më pak të fuqishëm
Rrëzohemi
Dhe sa herë biem
Tatëpjetës së pashtruar të kohës
Ndahen, si damarë të shprishur,
Rrugët dhe shtigjet
Rrëzohemi
Duke i falur botës
Shkulmat e fundit të dritës
Dhe pezullit mbi kokë
Frymët ia lëmë
Një nga një
Rrëzohemi
Pa drojë, pa mend
Sikur s’do të thotë gjë
Që zërat na u ngjirën
Nga këngët që shtohen
Përditë
Rrëzohemi
Në luginën e kthimit
Që nis kur lindim

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP