Natar

>> Thursday, December 31, 2009

Më bartni
Mbi pëllëmbën e butë të erës
Që me avullin tim të laget
Goja e mpakur e harrimit
Dhe në sy përvëlues
T’i vë zjarrin hënëzave të humbura
Në tymnajën që na mban kaq larg

Në barkun e dendur të erës
Fletë – notoj me hap të ngathur
Poshtë meje
Bota fle e gënjyer nga qen besnikë
Mbi mua rëndon e gjatë rruga
Si një litar i pafund mundimi

Qytetin – mbështjellë nën sqetull
Dremit dhe frymënxjerr
Si një varkë e plagosur dallgësh
Qyteti me lëkurë të ashpër
Nga grafititë kokëforta të klithmave
Mesnatave të vjedhura të tij

I fundit ik nga ëndrra
Si një mbret i gënjyer nga shkëlqimi i fronit
Mund ta quani pushtim
Siç pagëzoni bijtë tuaj më emra toke
Ku treten etërit
Në pritje tonën
Siç presin qirinjtë agimin të shkrepëtijë

Vehap S. Kola

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP