ÇANTA E UDHËTIMIT

>> Thursday, November 19, 2009


Hasan BAFTIJARI

Oj çantë
A nuk u lodhe nga udhëtimi
A s'të ka ardhur koha për t'u kthyer
Të kam mbajtur mbi supet e mia një kohë të gjatë
Dhe kurrizi më është kërrusur
... U lodha ...
Udhëtim akoma udhëtim...
Drejt një bote të panjohur
U bëre jastëku im
Ajo me të cilën ndaja jetën time
Shoqëruesja e udhëtimit tim të gjatë.
... Ah moj çantë ...
Ti që mbajte dhembjet dhe rënkimin tim
Ruajte të fshehtat e mia...
E çmendur je ti!
Je e dashuruar pas udhëtimit!?
Ti nuk ke as vend as vatan
Kurse unë
Kam humbur vatanin dhe ëndrrat e mia ...
Nuk kam strehë që më mbulon
As vatan që më strehon.
Sillem vërdallë rrugëve
Dhe jam këtu
Duke ecur e ecur
I humbur mes rrugicash
Kaloj male e lumenj
Këmbët nuk më mbajnë më...
Nuk di a kam vend në këtë libër
Asgjë nuk më kujtohet
Përveç lotët e nënës në çastin e ndarjes
Ti oj çanta ime
Të lutem, më thuaj
Kush e shkroi që ne të dy të jemi shokë rruge
Të përgjërohem me atë që të bëri ty
Shoqëruesën time të përjetshme.
Të lutem...
A nuk ka ardhur koha që të të lë në një cep
Që t'i tregoj rrëfimin shoqes time të jetës
Në takimin që kam ëndrruar prej kohësh
E di që je xheloze për këtë
Ngase ti kërkon të qëndroj me ty
Të shetisim çdo vend të kësaj bote
Sikur SINDIBADI
Të bëhem rob i yti.
Mos u frikëso moj çantë
Se akoma më merr e më dërgon aty ku dëshriron ti
Por, do të më humbasësh një ditë...
E do të merr malli për mua
Ti do të plakesh
Do të jesh e arrnuar
Por mos u mërzit
Nuk ka mërzi më te madhe
Se të humbasësh vatanin
Dhe të mos mund të kthehesh atje
Lerma mua mërzinë...
Ajo është shoqja ime e jetës
Është bashkëudhëtarja ime
Herë e mundi e herë më mundë
Kam frik të vdesë dhe të lë vetëm
Kush do të mbajë pas meje?
Kush do të kujdeset për ty, oj çanta ime?
Tek ti shikoj atdheun tim
Shokët, familjen
Fëmijërinë time, ditarin tim
Rënkimet e thellësisë së shpirtit
Nga pesha e kohës së pluhurosur
E mbushur me helmin e verdhë që rritet e rritet
Tallet me ne, na rethon
E pasta na hedhë nëpër rrugë
Të errëta e qorrsokaqe.
Oj çantë ...
A nuk ka ardhur koha të kuptosh
Se ai që humb vatanin është
I pa vend në këtë botë të çmendur.
Pa vend, pa identitet
Është thjesht një numër në pasaportë.

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP