Jemi të verbër…

>> Friday, January 18, 2008


Jerida KULLA


Të fshehur nën strehë
ruhemi nga shiu
se mos na lag,
na bën pis.
Harrojmë
se ruajtja është e kotë.
Ne jemi të lagur,
ne jemi pis,
shumë pis…
Lagia nuk do të bëjë gjë tjetër
veçse do na kujtojë
ku jemi,
do na kujtojë
kush jemi.
Jemi në tokë
duke ëndërruar me sy hapur,
duke jetuar si në përrallat
e moçme
dhe presim që gjithmonë të ketë një fund të lumtur,
presim fundin e lumtur...
Jemi mëkatarë
që e mbajmë veten
si shenjtorë.
Nuk do të jetë çudi
që së shpejti të kërkojmë
që një ditë e muajit
të ketë emrin tonë.
Ju mos u çudisni,
gjithçka mund të ndodhë:
të bërat i bëjmë të pabëra,
të bardhën të zezë,
realitetin ëndërr
apo ëndrrën realitet.
E ç’rëndësi ka çfarë bëjmë
e si e bëjmë,
për kë e bëjmë.
Në çdo gjë
jemi të verbër.
Të verbrin nuk mund ta shash.
Ne jemi të verbër, prandaj nuk na shani dot.
E kush jeni ju?!
Ju jeni si ne,
jemi si vëllezërit siamezë.
Ju jeni të verbër,
ju jetoni në tokë,
ju ëndërroni
me sy hapur,
ju jeni shenjtorë mëkatarë.
Ju, ne, jemi,
po nuk jemi,
vetëm vegjetojmë si dimërakët.
Dhjami i mëkatit na përkund ëmbël
në ditë-netët monotone.

Jemi të verbër…

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP