TË PREMTEN NUK VIJ!

>> Monday, January 18, 2010


Fatmir MUJA

E di se nuk u pëlqeu heshtja ime asnjëherë
Por nëse ndonjëherë thashë fjalë të mira
Ato i mësova në heshtje.
Ndonjëherë të gjithëve mund të na mungojnë fjalët
Por asnjëherë nuk mungon e vërteta që thuhet me to
Sepse ne jemi vetë Fjala.

E di se do të më prisni në takimin e përjavshëm
Por kjo javë për mua s’do t’i ketë shtatë ditë
Prandaj, në vend se t’ju përgjigjem më duhet t’ju pyes:
A ka fuqi lamtumira ta ndajë zemrën nga zemra?
A ka fuqi syri ta mbajë lotin brenda?
A ka fuqi balli të ndahet nga sexhdja?
A kanë fuqi fjalët të thonë më shumë se heshtja?

Po shkoj sepse edhe unë jam si ju, kam ardhur për të shkuar
U nisa si lumi në det që nuk i kthehet më shtratit të vet
Paj shtrati asnjëherë nuk ka qenë i lumit
Por lumi ka qenë i shtratit për aq kohë sa ka kaluar në të
Prandaj, kësaj here po ju përgjigjem pa më pyetur
Se të premten nuk vij.

Të gjitha dhimbjet e botës
Nuk mund t’i durojë një zemër
Por të gjitha zemrat në botë
Mund t’i durojnë dhimbjet e veta
Sepse, secila zemër ka dhimbje aq sa ka fuqi
E si mund ta dijë sa ka fuqi një zemër që nuk dhemb?

Ashtu siç mblidhen e zbriten, pjestohen e shumëzohen
Kushedi sa numra për ta nxjerr një numër
M’u desh t’i them kushedi sa fjalë
Për ta nxjerr një fjalë të vetme
Dhe këtë fjalë të vetme si amanet ta mbani:
Nuk duhet minarja kur mungon ezani.

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP