E HËNË…

>> Friday, February 26, 2010

Fatmir MUJA



E hënë.
Dita e dymbëdhjetë e muajit.
Dita që nuk është më pak se dymbëdhjetë muajt e vitit.
O Gjoks i Vulosur nga Drita e qiejve dhe tokës!
Ti erdhe tek ne që buzët tona të mos mbeten të vetmuara pa buzqeshjen
Ti erdhe tek ne që trupat tanë të mos bëhen varre për zemrat e vdekura
Drita çdo gjëje ia zbulon hijen e vet
E pse çdo hije është e zezë edhe pse gjërat janë shumëngjyrshe?!
Ti erdhe pa asnjë ngjyrë që përmes teje t’i shohim të gjitha ngjyrat
Ti erdhe pa asnjë shkronjë që neve të na i mësosh të gjitha shkronjat
Ti erdhe i fundit por ti je pari.

E hënë.
O Nektar i Pasosur që mjaltit të jetës ia jep ëmbëlsinë
Ti u ngjite në Malin e Dritës që ne të mos mbetemi në errësirë
Ti zbrite nga mali që ne të mos mbetemi pa ujë në shkretëtirë
Ti na thirre që ne të mos mbetemi pa Emra
Dhe shpirtrat “t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës” (48:18)
Pranë teje koha matet me të rrahurat e zemrës
Ti je si ne, por ne nuk jemi si ti
Sepse ti nuk kuptohesh nëpërmjet shkronjave
Por shkronjat kuptohen nëpërmjet teje.

E hënë.
O më i thellë se çdo shpellë
Ata që shikimin e syve të vet s’e njohin
Në vend të gjurmëve tua veç rrjetën e marimangës shohin
Ti u përule në tokë që ne të arrijmë lartësinë e qiejve
Ti u ushqeve me Pemën e Kufirit të Mbramë që ne të mos ndjejmë uri
Ti pive ujë në Keuther që ne të mos ndjejmë etje
U bëfsha pluhur i rrugës sate
dhe mbetsha tek këmbët tua nga e hëna në të hënë!

E hënë.
A ende i besoni dynjasë
Që na e mori trupin e Muhamed Mustafasë?
Ma jep një pikë lot të mos qaj më!
Ma jep një pikë gjak të më mbyllen plagët!
Më jep pak nga varfëria jote që të jem i pasur
Dhe më fal që nuk pata fjalë ta përshkruaja
asnjë fije të qerpikut të syve tu, pa të cilët botët nuk shohin
Më fal, më fal, më fal!

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP