Mendimet e mia peng
>> Tuesday, January 27, 2009
Ti ma mbush zbrazëtinë e shpirtit tim
O dritë rruge në errësirën e pafund
Në jetë, në vdekje je poezi që s’ka përshkrim
Je përtëritje shpresash, frymëzim zemrash me ngazëllim
Ti ma zbukuron ditën me lule kujtimesh që s’kanë përngjasim
Ma ledhaton shpirtin në petalin e mëndafshtë të butësisë
Ma rrëzon murin e fortë të një ndjesie të brishtë
Mi mban peng mendimet, ma freskon ndjesinë
I gëzuar jam që të kam o dritë, diell,
i gjithçkaje që nuk është errësirë
Në gjumin ëndërrimtar të botëve të kam lënë që të të ruaj aty
Të përkujtoj mbrëmjeve të vetmuara
kur qëndroj në shkretëtirën pa kufi
E prek atë ëmbëlsi shpirti sa herë kur çasti pulson në ndjesi
Le ta grisim këtë perde të mykur me thonjtë e vrazhdë të marrëzisë
Huptas në këtë liqen qetësie të mbytem në buzëqeshje fluturash të jem aty
Të krahasoj me perëndimin e pikturuar me imazhin e përjetësisë
Ti je lumturia, e me forcë mi trazon ndjesitë brenda gjoksit tim
Kur të ndjej, se mbush dot zemrën plot që ta ushqej shpirtin gjer në përjetësi
Ashtu sikurse koha do të tjera orë që të fluturojë në pafundësi
Ti mi sheshon humnerat, mi zgjeron rrugët,
ma mbush qiellin me kaltërsi
Je pianoja që thyen heshtjen e teatrit,
që mbush hapësirën me zbrazëti
Fort ma përkëdhele shpirtin
o endje e bukur e dehur në mirësi
O gurrë jete, o gurrë amshimi që rrjedh,
rrjedh pa pushim Kumar do t’i luaja,
edhe një mijë jetë do t’i falja për ty
Ti që dimrin e bleron, e maj-qershor mbetesh përgjithmonë në këtë histori
Valle jete, valle gëzimi, i qëndis lulet në piedestalin e lumturisë
I rrëzon mitet, i shuan etjet, ndër breza mbjell botën e rinisë
Ma përshëndet agimin, buzëqeshje ledhatare pikturove mbrëmjeve në vetmi
Dua të të dorëzohem, të mbetesh përgjithmonë shikimi në sytë e mi
Saimir LLESHI
0 Komentet:
Post a Comment