NJË BABA E KISHA QË NGA SHPIRTI , SHPIRT MË THOSHTE

>> Friday, August 28, 2009


(kushtuar babait tim Imam- Hafëz Zihni ef. Ahmedit)

Qysh nga fëmijëria e deri në pleqëri
Jeta jote ishte plot ibadet dhe devotshmëri
Nuk po them se ishe i tillë madje disa herë
Porse i përpikët dhe me vazhdimësi gjithëherë

Ju erdhe në familje pas nëntë viteve martesë
Ishe fëmija i shumë pritur dhe me hasret
Të rritën nëna dhe babai me shumë kujdes
Ngase për ta ishe shumë i dashur dhe u solle shpresë

Këtë gëzim të tyre nuk do t’ua kthesh me harresë
Sepse çdo dëshirë ti ua plotësove më pas me kujdes
Andaj kur babai dhe nëna shfaqën dëshirën të të bëjnë hafëz
Dymbëdhjetë vjeçar ua aprovove dëshirën me çdo kusht

Në kohën e komunizmit ishe shembull me çdo vepër
Nuk u ndave nga dini kurrë baba as një milimetër
Ti ishe ai që në këtë kohë skëterrë dhe të vështirë
Ua mësove fëmijëve Kur’anin madje edhe në shtëpi

Sa gjenerata nxorre baba as lapsi nuk mundet me i pa
Këtë punë e bëre me shumë vullnet dhe pa shpërblim
Sepse ti prisje shpërblimin nga Allahu në Amshim
Tani shijo, ja, erdhi dita jote e shumëpritur për shpëtim

Ah sa me vullnet dhe dëshirë i mësove talebet
[1] e tu
Kurrë nuk të dëgjuam që the: “Jam lodh, du me pushu”
Këtë punë e bëre me vullnet, me nderë, vetëm për Allah
Jam e bindur frytet e saja në Xhennet ke me i pa


Nj’at Kur’an e nj’at ezan që vetëm goja jote e tha
Nuk mundi askush ta zëvendësojë e si ti të këndojë
Sa xhemat e sa njerëz sa herë
[2] në jetë më thanë
Nuk ka si Hafëz Zihnija që këndon ezan e Kur’an

Zëri jot ka qenë, do të jetë e prore do të kumbon
Sepse ti veprove dhe punove për Allahun Fuqiplotë
Andaj tani pusho babai im i qetë në Xhennetin Firdevs
[3]
Ska dyshim se atje Hafëz i Kur’anit, imam e muezin do të jesh

Kur’anin dhe Hafëzllëkun tënd, rrallëkuj Allahu ja dha
E ti i qëndrove besnik, në dinin e Allahut qe i përpikët
Kurr haram, le që nuk veprove kurrën e kurrës në jetë
Por as syrin e veshin nuk i njollose së paku njëherë

Ke pasur cilësi e virtyte të shumta të muslimanit
Je dalluar me vepër dhe pamje që i frymonte Islamit
Dora jote ka qenë shumë e gjatë dhe s’tu ndal kurrë
Ishe i xhymert
[4] baba, nuk e ktheve asnjë nevojtar pa i dhënë

Nuk jetove duke qa vetëm brengat dhe hallet e tua
Kushdo që ishte në zor nga goja jote shumë u ankua
Kështu ishe i stolisur me virtytin sinqeritet dhe nurë
[5]
Dihet, këto cilësi Allahu nuk ia mundëson gjithkujt

Ishe imam baba jo vetëm për Preshevën por për një kaza
[6]
Ti kurr namazin nuk e le pa e falur me xhemat në xhami
Andaj edhe në momentet e fundit fjalën Allah e ke pëshpërit
Këtë ta mundësoi Allahu se qe i luftëtar i shenjtë i Islamit

Namazin e sabahut gjithmonë në xhami e ke fal
Nuk të ndalën as shiu, bora, erërat e forta me tallaze
Këtë detyrë e kryeje me shumë shpresë e seriozitet
Duke menduar se një ditë me Allahun ke me u zatet


Madje në kohrat e lashtësisë nuk pati rrymë si tani
Por për ty kjo s’qe asnjëlloj ankese apo vështirësi
Shkallëve të larta dhe të errëta të Minares së lartë
Pesë herë në ditë ua mësyeje me zell shumë të flaktë

Gjithmonë në Ramazan, këndoje Kur’an në xhami
Jo me Mus’haf
[7] çelur por mukabele[8] mbyllur këndoje ti
Andaj n’Ramazan u shpërngule përgjithmonë në Përjetësi
Sepse Allahu Dhul Xhelal
[9] me Taxhul- Kur’an[10] të pati stolis


Veshja jote islame me shall të hoxhës me fytyrë nurë
Ishte shembull jo vetëm në shtëpi por në shkollë dhe udhë
Pate një jetë përplot me aktivitet të dendur islam
Jo në një kohë të lehtë, por në më të vështirin zaman
[11]

Kurr nuk e harroj kur kthehej nga ftesat e da’vetet
[12]
Ndonjëherë me smundje nga ngacmimet e sikletet[13]
Qe nuk e praktikuan këtë fe me vullnet e dëshirë
Por të ngacmuan edhe ty pa e pasur një pikë mëshirë

Puna jote me bereqet, pesëdhjetë vjet imam pa hesht
Nuk munde që t’harroje, ditët e fundit Allahun kujtoje
Na thoshe me shumë shpresë, aman para se me vdek
Më dërgoni në xhami, ta shoh së paku edhe një herë.

Herën e fundit kur të pash, vërehej se vdekja veç të ka ardhë
E kuptova se je drejtuar më për vendin tënd të shumëmerituar
Sepse nuk u ngrite në këmbë i gëzuar n’qaf me më mbështjellë
Ah thash me zë të ngjizur se vërtet për Ahiret
[14] qenka ujdisur[15]


Pas gjithë këtyre e mora vesh se një baba e kishim me t’vërtetë
I cili po përgatitet me u shpërngulur për në Xhennet
Ah thash prapë me një zë të ofshamë: “Një baba e kisha pas”
Që nga thellësia e shpirtit dhe zemrës, shpirt më kish pas”

Rrugën tënde baba, pasojnë të pesë fëmijët e tu që pas i la
Elhamdulil-lah
[16] na le me dije, hoxhallëk[17], namaz e Kur’an
Andaj tani fluturo i qetë rahatohu në Xhennt-i Mekan
[18].
E fëmijët e tu deri në vdekje, për ty dua
[19]- lutje do të bajnë.

Mburremi, jemi krenar me dijen dhe ahlakun
[20] tand
Ishe dhe mbete trashëgimtar i Islamit tradicional
Ti qe gjurma e fesë dhe sinqeritetit të përsosur në Ballkan
Si pasues të edukatës islame dhe osmane na le trashëgimtarë


Edhe xhenazeja
[21] jote ishte e pastër, kundërmonte erë buharat[22]
Tani një kohë po ndahesh nga ne, shkon në alem-i Berzah[23]
Rrugë e mbarë o baba për në Ahiret e për Xhennet
Atje sërish inshaallah
[24] të gjthë kena me u përpjek.

Dr. Hatixhe Ahmedi


[1] Talebet- nxënësit
[2]
[3] Xhennetul Firdevs- Vendi më i lartë në Xhennet
[4] Xhymet- dorëlirë
[5] Nurë- dritë
[6] Kaza- rrethinë
[7] Mus’haf- Libri i Allahut, Kur’ani.
[8] Mukabele- leximi i Kur’anit përmendesh, kjo në trevat tona praktikohej sidomos gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
[9] Dhul Xhelal- I Madhëruar
[10] Taxhul Kur’an- Kurorë të Kur’anit.
[11] Zaman- kohë.
[12] Da’vet- ftesë, aty ku ftohej Hoxha.
[13] Siklet- mërzi
[14] Ahiret- Bota e Ardhshme.
[15] Ujdisur- përgatitur
[16] Elhamdulil-lah- Falenderimi i takon Allahut.
[17] Hoxhallëk- detyra e hoxhës, shërbyesit të fesë.
[18] Xhennet-i Mekan- Xhenneti- Parajsa.
[19] Dua- Lutje.
[20] Ahlak- Moral
[21] Xhenaze- kufomë.
[22] Buharat- erë e këndshme, misku- parfumi.
[23] Alem-i Berzah- Koha- periudha prej vdekjes deri në Ditën e Kijametit.
[24] Inshaallah- Dhashtë Allahu.

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP