Mos prisni t’jua përshkruaj

>> Tuesday, April 01, 2008


Kozeta Boçi


E kam një kopsht që më thërret ta mbaj për vete,

në gjumë a zgjuar më shfaqet i vegimtë

e tretet sakaq në pamundësinë e prekjes.

Më thërret me zëra të fjollta

që bien e shkrihen mbi lëkurën e thatë,

më mbushin përskaj syrit qese me lot dhe derdhen në venat e mia të gjakta.
Drejt e në zemrën që i shpeshton rrahjet.

Të ndiej prehje e munguar

dhe s’mund të të humbas.

Ku t’i gjej sytë për qeset me gjak

vjellë nga zemra e plasur?

Zbresin e afrohen mrekulli të vagullta,

sekonda nuk i kap.

Shfaqen në fshehjen e skajshme

ku dhembja pushon.

Në trupin e copëtuar shpirti i Asias

bëhet i paprekshëm nga bota e vogël.

Një deriçkë e hapur mbi sytë tokësorë,

me emër, me pronësi të vulosur, ...

oh, mendja nuk ka parë kurrë

as zgjuar, as në gjumë,

jo duar engjëjsh,

kopshtin tim që mos prisni t’jua përshkruaj.


Kjo, Allah, është e fshehta mes Teje e meje,

premtimi i hershëm që më shfaqet vegimthi.

Kopshtin tim, ku lutem të hyj, e dua për vete.

Më thërret, më thërret! Zërat nga zemra më vijnë

dhe zemra shkulet të ulet aty

ku Fytyrën Tënde sheh.

Loti ngrin nga frika e pritjes.

Frika ka frikë.

Kopshtin tim e dua për vete!
Kopshtin tim mos prisni t’jua përshkruaj!

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP