Emri tjetër

>> Monday, March 30, 2009



Tërheq zvarrë kufomën time
Si Kain në një sfidë krenarie me shpezët
Trupin tim të blatuar
Për të ushqyer të vegjlit e mi

Ngjallem
Për të rindjerë dhimbjet e gjilpërta
Që vdekja m’i humb në tkurrjen e pluhurt të plazmës
Dhimbjet që më janë shenja jete

Ngjallem nga hiri im
Prej xhelozie të zogjve të mi
I dua të pagabueshëm
Shtegtarët e rinj të qiellit
Mbi retë shtroj dafina – eshtrat e mia
Me vdekjen time të pakëputur
Shtëpinë e lumturisë t’ju dëftej

Fshikulloj lëkurën time të bulëzuar
Nga avuj të pazakontë gënjeshtrash
Zakonesh të mbrapshta grabitqarësh
Që bëjnë ushqim zogjtë e tyre

Tërhiqem gjer në klithmë
Si një flok i padëshiruar
Mes rrënjës së fortë
Dhe duarsh të pashpresa

Dergjem i lumtur mes barishtesh
Në folenë e re të zogjve
Që sot e ndërtojnë vetë
Për të imituar fatin tim

Vehap S. KOLA

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP