JAM DËSHMITAR!

>> Tuesday, September 08, 2009




Unë jam biri i Ademit që vij në tokë me amanetin që s’e mbanë as toka.
Dallohem nga katërkëmbëshi, prandaj kam duar që i ngris drejt qiellit,
Por, nuk i lutem qiellit, sepse atë që bartë gjoksi im, nuk e bartin shtatë qiejt.
Nuk kënaqem pse e shëtis bjeshkën pëllëmbë për pëllëmbë,
Sepse më shumë më joshë miniera që gjendet në bjeshkë.
Nuk më duhet të arrij në Hënë, nëse nuk arrij në zemrën time.
Nuk dua t’i gëzohem fatit as t’i pikëllohem fatkeqësisë,
Sepse të dyja janë të përkohshme dhe përfundojnë te i Pafundmi.

Jam lënduar për ta kuptuar se dhimbja është për të gjallët.
Jam sëmurë për ta kuptuar se ilaçi nuk ka vlerë pa sëmundjen.
Kam qarë për ta kuptuar se loti që del nuk I kthehet kurrë më syrit.
Kam buzqeshur për ta kuptuar se shtazëve u mungon buzëqeshja.
Kam folur për ta kuptuar se heshtja nuk ka kuptim pa fjalët.
Kam pyetur për ta kuptuar se nuk ka pyetje të paarsyeshme, vetëm përgjigjet janë të tilla.
Prandaj, i kam dëbuar ata që me përgjigjet e tyre m’i ndreqin vetullat e m’i vrasin sytë.
Në këtë zemër nuk ka vend për urrejtje ndaj të paditurve, por ndaj paditurisë.
Sepse, unë jam biri i Ademit që më janë mësuar të gjithë emrat.

Shpirti im ka çmimin e të gjitha përuljeve të engjëjve.
Ulja e çmimit për shpirtin tim kushton më shtrenjtë se toka dhe qiejt.
Sepse toka dhe qiejt u krijuan për mua.
Toka nuk hidhërohet nëse njerëzit nuk mbjellin,
por nëse nuk mbjellin, njerëzit do të vdesin nga uria.
Qielli nuk hidhërohet nëse njerëzit nuk freskohen me ujin e zbritur,
Por nëse nuk freskohen, njerëzit do të digjen nga etja.
Unë jam biri i Ademit që nuk e krijova as urinë e as ushqimin, as ujin e as etjen,
por jam dëshmitar i të gjithave.
Prandaj, jetoj për të dëshmuar se gjithçka nuk është E vërteta por E Vërteta është Gjithçka.

Fatmir Muja
Ramazan 2009, Prishtinë, Shkup

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP