MU BO PEJDA NI SEVDA

>> Monday, September 08, 2008

MU BO PEJDA NI SEVDA


SHEJH ABDUL MALIK HILMI
(1865-1928)

Mu bo pejda ni sevda
Lumin Zotin per me pa
Nuk po dua çeter çka
Veç ashkin tond Allahem.

Te ton terr osht kjo dynja
Mrenda suret dritë po ka
Mejqu perdet gjith sa ka
Per ashkin tond Allahem.

Shtati fener sureta
Me kall qirin me ashk na
Hak dizarin me e pa
Me ashkin tond Allahem.

Bylbyl mu bo hem zemra
Per ert Hakit ka sevda
Knon ja Allah ja mevla
Per ashkin tond Allahem.

Po thret me ashk Hilmija
Une pej Hakit s'muj mu da
Tuj thon Allah daima
Per ashkin tond Allahem
Per ashkin tond Sulltanem.



Një biografi e shkurtër e:



SHEJH ABDUL MALIK HILMI
(1865 - 1928)



Shejh Abdul Malik Hilmi u lind në Rahovec më 1865.
Babai i tij ishte Fejzullah Hoxha, familje e njohur në atë kohë përkah ndershmëria dhe devotshmëria.

Mësimet fillestare (mektebin) e kreu në vendlinde, ndërsa ato të mesme dhe të larta në Prizren, në medresen e “Mehmed Pashës”. Këtu mësoi nga myderizi i njohur i asaj kohe Aziz efendiu. Hilmiu i ri këtu u pajis me një dituri dhe kulturë të gjërë. Tesavufin e mësoi nga mutesavufi i njohur i asaj kohe Shejh Rexheb Hulusiu.

Abdul Malik Hilmiu tregoi aftësi të dalluara dhe vullnet të çeliktë për dituri. Fitoi simpatinë e muderrisëve të vet e sidomos të Shejh Rexheb Hulusiut, i cili ia dha edhe hilafetin Hilmiut të ri për shejh të melamive.

Pas kryerjes së medresesë sipas porosisë së Shejh Rexheb Hulusiut, Abdul Malik Hilmiu themeloi teqen e melamive në Rahovec në vitin 1887. Teqe e cila u bë vatër e diturisë dhe arsimit fetar në atë kohë. Shejh Abdul Malik Hilmiu ishte shumë i devotshëm, pedant, komunikativ, dhe i disciplinuar pra ishte shembull në moral, shembull i besimtarit të vërtetë. Jetoi vetëm prej punës së vet.

Shejh Abdul Malik Hilmiu ishte interpretues besnik i ideve materialiste didaktike të filozofëve antikë dhe të kohës së re, Astrologëve, Gjeografëve dhe të dijetarëve të tjerë të shkencave ekzakte. Vepra e cila e bëri emër të historisë dhe në albanistikë, në përgjithësi është “DIVANI” poezitë e tij.

Pas shtrirjes së pushtetit sërbomadh, nga fundi i vitit 1918 erdhën ditët më të vështira për krijuesit në gjuhën shqipe. Shejh Abdul Malik Hilmiu i njohur në popull si Sheh Mala i Rahovecit, i trajtuar si ideologu i luftës për liri të popullit shqiptar, ishte ndër të parët në sulmin e organeve të shtetit sërbomadh. Atë e thirrën në komandë të rrethit të Rahovecit (Podrimës) dhe ia bënë me dije se duhet ti kufizohet liria me kusht që ta ndërprej shkrimin dhe të qëndroj vetëm në teqe pa lëvizur askund, dhe rruge tjetër të hapur kishte -Turqinë.

Kjo e goditi rëndë Shejh Malën sepse i zvoglohej ardhja e myhybve (simpatizantëve) në teqe, sepse tubimi në teqe konsiderohej si tubim politik shqiptar.

Në vitin 1925 Shejh Abdul Malik Hilmiu paditej se ende është duke shkruar poezi shqipe. Vazhdimisht merrte letra kërcënuese anonime se në momentin më të përshtatshëm do të vritet. Megjithatë Sheh Mala nuk e ndali aktivitetin e vet kulturor e arsimor, dhe u fliste simpatizantëve që të vinin në teqe, poashtu i ndaloi të flitnin gjuhën sllave të Rahovecit, dhe u thoshte se shqipja është e jona… vetëm shqipja… Kjo e mbante në jetë.

Veprat e tij janë:
“DIVANI” në gjuhën Shqipe
“DIVANI” në gjuhën Turke
Risalet 16 sosh.
Përkthimi i VARIDATIT të Bedredin Sulltanit, dhe vepra tjera me përmbajtje të tesavufit.
I ka folur pesë gjuhë: Shqip, Serbokroatisht, Arabisht, Turqisht dhe Persisht., me këtë të fundit kishte mungesë komunikimi me tjerët sepse nuk kishte me kë të komunikonte.
Vdiq në vitin 1928 në Rahovec në moshën 63 vjeqare ku dhe është i varrosur në oborrin e teqes së vet.
Me 9 Janar të vitit 2001 Shejh Abdul Malik Hilmiu u shpall Magjistër i Filozofisë Historike, ngase veprat e tij dhanë një kontribut të vlefshëm gjuhësor dhe shkencor.

Xhafer Hoxha, Rahovec

P/S: Shumë shpejt do të del në dritë botimi i 80 poezive nga DIVANI i Shejhut në emër të sajtit http://www.poezia-islame.net/. Allahu e shpërbleft nipin e tij Xhaferin e cili na mundësoi që këtë DIVAN ta kemi në këtë sajt.

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP