Nata

>> Thursday, September 25, 2008


Vehap KOLA


Muzgu fjeti mbi guva
Me ninullën e vesës
Treti në ëndërritje rrafshinën pas shtëpisë
Koten heshtat e maleve
Gërma të renditura hyjnisht
Derdhen shi në sytë
Prej andej mbushin zgafellat e vjetra të gjokseve
Dëgjohet kumbimi i këngës së lashtë
Nga portat e qiellit
Tufa shtegtare engjëjsh po dalin heshtur
Jehojnë rrapëllima gjunjësh, duarsh
Pastaj lëshimi vetëzhdukës i ballit
Në dyshemetë e tempujve
Në kraharorët e çarë nga ngashërimi
Buçisin thërritje përdëllyese
Shkrepin sy të zjarrtë dashnorësh të qiellit
Pëshpëritje xheloze kalojnë lehtë
Pragun e ngushtë të buzëve
Pëlhura e yjëzuar
Është ngjitur pas kubesë së tempullit
Yjet po zbresin pandjeshëm
Duar pendestarësh vjelin të tjerë yje
Nga degët e përkulura të pemës së kaltërt
Natë e bardheme
Pudrosur me pluhurin e hënës së thyer
Shiu i mëshirshëm
Planetin tim të rënduar tërheq
Litarë të ujshëm përshkojnë pandalur
Damarët e fortësuar të tokës
Thurin për së gjalli
Eshtrat hollake të një shporte
Me dorzë prej ylberi
Kapicë me fytyra të qershinjta njerëzish
Dielli lindi i përgjumur
Mbi kthinat e qëmotshme
Lëshoi vellon e bardhë të aurorës
Ajrin e ftohtë të agimit e rrahin
Disapak zogj
Dhe kënga grishëse e gjelave

0 Komentet:

Post a Comment

Video rasti:

  © Blogger template Simple n' Sweet by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP